Ambasadori Ivaylo Kirov – i ftuari i posaçëm i ceremonisë së inaugurimit të bustit të baritonit Ramiz Kovaçi në Krujë
18 prill 2023 Новини
Më 22 mars 2023, me rastin e 94-vjetorit të lindjes së baritonit dhe Artistit të Popullit Ramiz Kovaçi (1929 - 1994), u inaugurua busti i tij i skalitur prej bronzi në vendlindjen e tij – Krujë. Mes të pranishmëve në ceremoni ishin nënkryetari i bashkisë Krujë, z. Ilir Loci, deputeti z. Denis Deliu, përfaqësues të institucioneve kulturore etj. Me ftesë të familjes Kovaçi, i ftuar special i aktivitetit ishte Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Bullgarisë në Republikën e Shqipërisë, z. Ivaylo Kirov.
Në ceremoni nënkryetari Ilir Loci prezantoi shkurt biografinë e Ramiz Kovaçit, duke theksuar se pas Liceut Artistik në Tiranë, ai vazhdoi studimet në Shkollën e lartë shtetërore muzikore në Bullgari, nga ku u kthye me një medalje të artë. Z. Loci theksoi rolin e Ramiz Kovaçit në ndërtimin e institucioneve kulturore në Shqipëri, si dhe në ngritjen e nivelit të jetës kulturore. Autori i bustit, skulptori i njohur Muntaz Dhrami, shprehu kënaqësinë që me punën e tij ka mundësi të kontribuojë për nderimin e figurës së baritonit të madh. Ai falënderoi ambasadorin bullgar për praninë e tij, duke theksuar se Bullgaria është e njohur edhe me shkollën e vetë të mirë në fushën e skulpturës.
Në fjalën e tij para të ftuarve diplomati bullgar Ivajlo Kirov tha se për të, si ambasador i Bullgarisë, është nder që tradita e shkollës bullgare të operës ka ndihmuar në zhvillimin e talentit të Ramiz Kovaçit. Baritoni i ri që në klasën e profesorit Hristo Brambarov u dallua me zë të jashtëzakonshëm dhe mjeshtëri të veçantë të këndimit. Ambasadori Kirov theksoi rëndësinë e faktit që pas kthimit të tij në Shqipëri, Ramiz Kovaci arriti të përcjellë një përvojë të konsiderueshme dhe kontribuoi për ngritjen e institucioneve të ndryshme kulturore, siç është Akademia e Arteve. Ai shtoi se Ramiz Kovaçi dhe bashkëshortja e tij bullgare Nikoleta Lilova janë ndër personat që ndërtuan disa nga urat e miqësisë mes Bullgarisë dhe Shqipërisë. Sipas diplomatit bullgar, dashuria dhe respekti për kulturën dhe gjuhën e të dy popujve është ruajtur në familjen e tyre deri më sot. Ai përshëndetni mbesën e Ramiz Kovacit – sopranon e shquar Ramona Tullumani, e cila vazhdon traditën familjare nëpër skenat operistike jo vetëm në Sofje dhe Tiranë, por në mbarë botën. Ambasadori Kirov shprehu bindjen se busti i sapoinauguruar do të bëhet pjesë e itinerarit të turistëve bullgarë, për të cilët qyteti i bukur historik i Krujës është ndër vendet e parapëlqyera në Shqipëri.