Bullgaria mbështet zhvillimin e bujqësisë biologjike në rajonin e Durrësit
09 mars 2023 Новини
Me një ceremoni përmbyllëse organizata joqeveritare "Udhëtim i Lirë - Liberi di Viagiare" prezantoi rezultatet e projektit "Zgjidhje natyrore për ruajtjen e pjalmuesve në serra dhe ekosisteme urbane" (“Nature-Based Solutions for the Conservation of Pollinators in Green house & Urban Ecosystems”) të financuar në kuadër të programit Ndihmë Zyrtare për Zhvillim. Një përfaqësues i fermave të përfshira në projekt shprehu mirënjohjen ndaj shtetit bullgar për financimin e ofruar. Sipas tij metoda e implementuar e pjalmimit me anë të bletëve pllenuese (të gjinisë bombus) ka ndikuar në rritjen e cilësisë dhe sasisë së prodhimit, si dhe në minimizimin e përdorimit të pesticideve.
Drejtoresha ekzekutive e organizatës joqeveritare, znj. Miranda Mansaku shtoi se i gjithë procesi është përshkruar në një manual dygjuhësh të hartuar nga udhëheqësi shkencor i projektit, Prof. Shpend Shahini.
Nxënësit nga shkolla të ndryshme në Durrës bënë një prezantim të orëve të mësimit për mbrojtjen e mjedisit të zhvilluara në kuadër të projektit. Njohuritë e fituara në fushën e ekologjisë i kanë motivuar ata të kërkojnë një takim me përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak të Durrësit për të diskutuar çështje të rëndësishme për zhvillimin e qytetit të lidhura me ndotjen dhe rruajtjen e mjedisit.
I ngarkuari me punë në Ambasadë z. Asen Paçev, u shpreh i kënaqur me rezultatet e arritura, që i tejkalojnë ato të parashikuara në projekt. Znj. Maria Peeva, sekretare e tretë në Ambasadë dhe koordinatorja e projektit, falënderoi fermerët dhe nxënësit për pjesëmarrjen e tyre aktive, si dhe organizatën joqeveritare për përfundimin e suksesshëm të nismës së radhës në kuadrin e Ndihmës Zyrtare për Zhvillim.