U nderua me “Degën e Artë të Dafinës” Konsulli i Nderit Z. Selim Hoxhaj
19 prill 2021 Новини
Në emër të Zëvendës Kryeministres për Reformën në Drejtësi dhe Ministres së Punëve të Jashtme, znj. Ekaterina Zaharieva, Ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Z. Momtchil Raytchevski, ia dorëzoi Konsullit të Nderit të vendit tonë në Shqipëri Z. Selim Hoxhaj shenjën e nderit të Ministrisë së Punëve të Jashtme “Degën e Dafinës së Artë”. Ai u vlerësua me këtë dekoratë të lartë për kontributin e tij madhor në forcimin e marrëdhënieve bullgaro-shqiptare, si dhe për thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor midis dy shteteve. Për shkak të masave kufizuese kundër përhapjes së COVID-19, ceremonia e dorëzimit të çmimit u zhvillua në Ambasadën e Republikës së Bullgarisë në Tiranë në praninë e pak njerëzve, ndër të cilët ishte Kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë me Bullgarinë në Kuvendin e Shqipërisë z. Musa Ulqini, figura publike, miq të Bullgarisë, gazetarë dhe përfaqësues të misionit diplomatik.
“Vlerësojmë përpjekjet Tuaja për përmirësimin e imazhit të Bullgarisë në shoqërinë shqiptare dhe për promovimin e historisë, kulturës sonë dhe mundësive për turizëm, të cilat shteti ynë i ofron. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time dhe mirënjohjen e shtetit bullgar për angazhimin Tuaj personal për kauzën e njohjes së minoritetit kombëtar bullgar në Shqipëri. Me përfshirjen e tij në Ligjin e miratuar në vitin 2017 për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në fakt ishte korrigjuar një padrejtësi historike. Si Konsull Nderi i Bullgarisë në Shqipëri, Ju bëni përpjekje për të mbrojtur jo vetëm interesat e komunitetit bullgar në vendin Tuaj, por edhe të shtetasve bullgarë, të cilët hasin probleme në Shqipëri” – thuhej në mesazhin përshëndetës të Ministres Zaharieva.
Që nga viti 2012, z. Hoxhaj kryen detyrën e Konsullit të Nderit të Republikës së Bullgarisë në Republikën e Shqipërisë me seli në Vlorë dhe me veprimtarinë e tij aktive dhe të përgjegjshme ka dhënë një kontribut të spikatur në forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve midis Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Shqipërisë në frymën e fqinjësisë së mirë dhe respektit reciprok. Ndër prioritetet e tij janë jo vetëm vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta midis sipërmarrësve nga të dy vendet, por gjithashtu promovimi i kulturës dhe historisë bullgare në Shqipëri. Me ndihmën e z. Hoxhaj Shqipërinë e kanë vizituar ansamble të ndryshme folklorike nga Bullgaria. Falë tij në shtyp botohen artikuj, kushtuar të gjitha festave kombëtare bullgare. Vetë z. Hoxhaj është autor i disa dokumentarëve mbi marrëdhëniet bullgaro-shqiptare. Me ndihmën e tij janë realizuar me sukses projekte në kuadrin e programit “Ndihma Zyrtare për Zhvillim” si ndërtimi i rrugës “Princ Boris” dhe i sheshit “Gllavanicë” në qytetin e Ballshit. Në vitin 2017, z. Hoxhaj u nderua nga zonja Iliana Yotova me shenjën e nderit të Nënpresidentit. Ai mori dhe Dekoratën e Nderit të Presidentit të Republikës së Bullgarisë gjatë vizitës së kreut të shtetit Z. Rumen Radev në Shqipëri në mars 2019