Australia and Oceania

Asia

Africa

Europe

North and South America

Additional Information

Lajme - Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Republikën e Shqipërisë

Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Republikën e Shqipërisë

150 vjet që nga Kryengritja e Prillit - një mësim mbi kujtesën, shpirtin dhe përkatësinë

20 prill 2026 Новини

Më 17 prill 2026, në Ambasadën e Republikës së Bullgarisë në Tiranë u zhvillua një veprimtari e organizuar me iniciativën e Shkollës Bullgare të së Dielës “Hristo Botev” – Tiranë, me rastin e përkujtimit të 150-vjetorit të Kryengritjes së Prillit.

Kjo nismë është pjesë e një serie aktivitetesh arsimore dhe artistiko-krijuese, të përgatitura nga shkolla, me qëllim që t’u mundësohet nxënësve të kuptojnë rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje, të thellojnë njohuritë e tyre mbi luftërat nacionalçlirimtare dhe të formojnë qëndrime ndaj vlerave të lirisë, dinjitetit dhe përgjegjësisë qytetare.

Në veprimtari morën pjesë nxënës të grupmoshave të ndryshme, prindërit e tyre, mësues, si dhe përfaqësues të komunitetit bullgar në Shqipëri.

Në kuadër të programit, Ambasadori i Republikës së Bullgarisë në Republikën e Shqipërisë mbajti një orë të hapur në formën e një prezantimi, kushtuar Kryengritjes së Prillit – shkaqeve të saj, figurave kryesore dhe pasojave historike. Theksi u vu mbi vetëflijimin e kryengritësve, jehonën ndërkombëtare dhe rëndësinë e kësaj ngjarjeje si një etapë kyçe në rrugën drejt Çlirimit të Bullgarisë.

Si pjesë aktive e veprimtarisë u zhvillua edhe një kuiz për nxënësit me pyetje të lidhura me Kryengritjen e Prillit. Nxënësit dëshmuan njohuri dhe interes për temën, ndërsa pjesëmarrja e tyre kontribuoi në një atmosferë më dinamike dhe angazhuese.

Veçanërisht mbresëlënëse ishte përfshirja e nxënësve më të vegjël, të cilët morën pjesë në një veprimtari krijuese duke realizuar vizatime kushtuar heronjve të luftërave nacionalçlirimtare. Nëpërmjet punimeve të tyre, ata rikrijuan figura dhe simbole të lidhura me luftën për liri. Edhe nxënësit më të rritur paraqitën krijimet e tyre, duke portretizuar figura të shquara si Vasil Levski, Georgi Benkovski, Panajot Vollov dhe të tjerë.

Vizatimet e fëmijëve i dhanë veprimtarisë një karakter të theksuar emocional dhe edukativ, duke krijuar një lidhje të natyrshme ndërmjet njohjes historike dhe perceptimit personal të nxënësve për heroizmin dhe dashurinë për atdheun.

Në kuadër të iniciativës së shkollës parashikohen edhe aktivitete të tjera pasuese, përfshirë organizimin e një konkursi për ese nga nxënësit mbi tema që lidhen me mësimet e Kryengritjes së Prillit, si dhe prezantimin e krijimeve të tyre në një veprimtari të ardhshme.

Veprimtaria u zhvillua me interes të shtuar dhe u afirmua si një element i rëndësishëm i përpjekjeve për ruajtjen e kujtesës historike bullgare jashtë vendit dhe për forcimin e lidhjes së të rinjve bullgarë në Shqipëri me historinë, kulturën dhe identitetin e tyre kombëtar, në përputhje me orientimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Допълнителни снимки

Този сайт използва бисквитки (cookies). Като приемете бисквитките, можете да се възползвате от оптималното поведение на сайта.

Приемане Отказ Повече информация