Bullgaria pajisi një sallë terapie për fëmijët me nevoja të veçanta në Kavajë
08 mars 2023 Новини
Drejtoresha ekzekutive e organizatës joqeveritare "Udhëtim i Lirë - Liberi di Viagiare" znj. Miranda Mansaku prezantoi rezultatet e projektit “Me ty për ty” ("With You 4 You") të zbatuar me ndihmën financiare bullgare në kuadrin e programit Ndihmë Zyrtare për Zhvillim. Sipas saj, salla e re e terapisë në Qendrën Ditore në Kavajë, si dhe metodat e reja të analizës së sjelljes përmes konsultimeve shtesë me psikolog, kanë qenë një ndihmë e rëndësishme si për vetë fëmijët, ashtu dhe për prindërit e tyre. Projekti ka kontribuar gjithashtu në shkëmbimin e përvojës dhe personelit midis qendrës në qytetin e Kavajës dhe institucioneve të tjera të tilla në qytetet e Durrësit dhe Tiranës.
Punonjësit e Qendrës për shërbime për fëmijët me aftësi ndryshe falënderuan shtetin bullgar për mbështetjen, duke shprehur shpresën se përkrahja do të vazhdojë në kuadrin e projekteve të tjera sociale në rajon.
Përfaqësuesi i Ambasadës bullgare z. Asen Pachev, shprehu kënaqësinë e tij për faktin se projekti në Kavajë është ndër disa projektet e realizuara me financimin e programit Ndihmë Zyrtare për Zhvillim në Shqipëri, që synon përmirësimin e kushteve për zhvillim dhe edukim të të gjithë fëmijëve. Prezantimi u mbyll me një program muzikor dhe një ekspozitë me pikturat e fëmijëve nga qendrat e ndryshme të kujdesit ditor.