Ambasadori Raiytchevski hapi Takimin botëror të mediave bullgare në Tiranë
27 nëntor 2019 Новини
Ambasadori i Republikës së Bullgarisë në Republikën e Shqipërisë, z. Momtchil Raiytchevski, ishte mes të ftuarve të nderit në hapjen e Takimit të 15-të botëror të mediave bullgare, i cili u mbajt më 22-25 nëntor në Tiranë. Ambasadori Raiytchevski i përshëndeti përfaqësuesit e mediave bullgare nga e gjithë bota që marrin pjesë në këtë forum. Ai lexoi një fjalim urimi nga zëvendëskryeministrja për reformën në drejtësi dhe ministre e punëve të jashtme Ekaterina Zaharieva. Në përshëndetjen e saj , ministrja Zaharieva theksoi rolin e mediave, "të cilat, me autoritetin e tyre, shërbejnë si një udhëzues në rrjedhën e madhe të informacionit dhe formojnë opinionin publik me një lexim objektiv të ngjarjeve". U theksua se takimi i pesëmbëdhjetë i mediave bullgare në Tiranë është domethënës sepse po mbahet në "Shqipërinë miqësore, me të cilën Bullgaria ka lidhje historike dhe marrëdhënie diplomatike 105-vjeçare". U theksua edhe se njohja e pakicës kombëtare bullgare është një faktor për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.
Një fjalim urimi u lexua në emër të ministrit të kulturës i Republikës së Bullgarisë z. Boil Banov, i cili theksoi se i bashkuar nën temën "Media dhe Prioritetet Kombëtare" forumi synon të ruajë, promovojë dhe mbrojë identitetin bullgar. Zëvendësministrja e turizmit Zonja Elena Georgieva theksoi në fjalimin e saj në hapjen, se Takimi botëror i mediave bullgare është një platformë e shkëlqyer për promovimin e rezultateve të arritura në fusha të ndryshme, përfshirë turizmin.
Për nder të gazetarëve bullgarë që kishin mbërritur në Tiranë nga e gjithë bota, Ambasadori Raiytchevski shtroi një pritje. Në të morën pjesë përfaqësues të mediave, deputetë nga Bullgaria dhe Shqipëria, figura kulturore dhe sipërmarrës.