Pajisje inovative me inteligjencë artificiale – për herë të parë në Shqipëri për nismën mjekësore të “Universitetit të Trakisë”
04 korrik 2025 Новини
Në fshatin Ostren të Madh, në qarkun e Dibrës, gjatë një fushate falas mjekësore, u përdor për herë të parë në Shqipëri një pajisje e gjeneratës së fundit për depistimin e syve, prodhuar nga një kompani franceze lider në fushë. Pajisja përdor softuer të specializuar me inteligjencë artificiale dhe u soll në Shqipëri posaçërisht për nismën e Kolegjit Mjekësor pranë Universitetit të Trakisë, nëpërmjet bashkëpunimit dhe koordinimit ndërkombëtar.
Ekipi i specialistëve i udhëhequr nga prof. asoc. Pavlina Teneva, përfshirë 8 pedagogë dhe 8 studentë, zhvilloi nga 26 deri më 28 qershor 2025 depistime të syve, vizita oftalmologjike, depistime të shtyllës kurrizore me matje të densitetit kockor si dhe analiza të shpejta të gjakut.
Nisma u organizua me ftesën dhe nën koordinimin e Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Tiranë dhe me ndihmën e kompanisë private bullgare “Pro Gled”. Vendi i përzgjedhur – fshati Ostreni i Madh – u zgjodh për shkak se është populluar me përfaqësues të pakicës kombëtare bullgare. Fshati ndodhet në rajonin e Gollobordës, pjesë e qarkut Dibër, ku sipas censit të fundit (2023), u regjistrua numri më i madh i përfaqësuesve të minoritteit bullgar, pas qarkut të Kukësit.
Një nga qëllimet kryesore të këtij bashkëpunimi ndërkombëtar ishte të ofrohej diagnostikim sa më i saktë dhe i specializuar për njerëzit me akses shumë të kufizuar në shërbime shëndetësore.
Pajisja e avancuar u përdor për afërsisht gjysmën e 400 pacientëve të ekzaminuar gjatë 3 ditëve të fushatës. Softueri me inteligjencë artificiale analizonte automatikisht imazhet e syve, ndërsa vlerësimi përfundimtar i gjendjes së çdo pacienti bëhej nga mjeku i syve doktor Georgi Dachev – duke garantuar saktësi të lartë nëpërmjet kontrollit të dyfishtë.
Kjo është hera e dytë që Kolegj Mjekësor pranë Universitetit të Trakisë organizon një nismë të tillë në Shqipëri – pas asaj të parë të zhvilluar në qytetin e Kukësit në vitin 2024.
Organizatorët për herë të dytë konstatuan sukses të madh – me reagime jashtëzakonisht pozitive nga ana e pacientëve dhe jehonë të gjerë në mediat vendase. Kjo çoi në një zotim se do të bëhet çmos për ta kthyer nismën në një aktivitet të përvitshëm.